Në kushte të favorshme, pemët frutore prodhojnë një sasi më të madhe frutash sesa në kushte optimale. Rrallimi i frutave përfshin heqjen e frutave të tepërta për të përmirësuar madhësinë dhe cilësinë e frutave. Kjo teknikë kryhet në mollë, dardha, kumbulla, pjeshka dhe nektarina. Përfitimi që mund të arrini me rrallimin e frutave në pemishten tuaj është që do të keni fruta më të mëdha, me ngjyra të gjalla, të pjekura në mënyrë të barabartë dhe pa njolla.
Kjo teknikë e thjeshtë është një proces i domosdoshëm në tërësinë e shërbimeve agroteknike që i bëhen pemëve. Rrallimi bëhet kryesisht në pemët e rritura të cilat kanë hyrë në prodhim. Ky proces bazohet në largimin e një sasie të caktuar të frutave. Sasia e frutave që do të rrallohet përcaktohet pas vlerësimit të gjendjes së pemishtes duke marrë në konsideratë gjendjen shëndetësore, potencialin prodhues, zonat e frutifikimt etj. Ky vlerësim bën të mundur përcaktimin e drejtë të sasisë së frutave që duhet të ketë një degë si dhe distancës së frutave në degëz. Në pamje të parë mund të duket se rrallimi do të ndikojë në uljen e rendimentit të prodhimit, por, nëse shikojmë të gjitha fazat e zhvillimit të kulturës, kuptojmë domosdoshmërinë dhe dobitë e shumta të këtij procesi.
Ndër përfitimet e rrallimit janë:
Përmirësohet cilësia, madhësia dhe ngjyra e frutave që kemi lënë në lulesa;
Shmanget prodhimi i çrregullt dhe stimulohet prodhimi për vitin e ardhshëm;
Përfitohen fruta me pjekje uniforme (drita dhe ajri do të depërtojnë në mënyrë të njëtrajtshme);
Minimizohet rënia e tepruar dhe e parakohshme e frutave;
Shmanget thyerja apo dëmtimi i degëve nga mbingarkesa me fruta;
Zvogëlohet numri i frutave të prekura nga insektet ose sëmundjet duke ndikuar kështu edhe në menaxhimin sëmundjeve dhe dëmtuesve.
Cila është koha më e mirë për të kryer procesin e rrallimit?
Një faktor vendimtar për t’u arritur qëllimi i rrallimit është koha në të cilin kryhet ky proces. Rrallimi në fazat e hershme të zhvillimit të frutit, sjellë si rezultat jo vetëm fruta më të mira në cilësi por edhe rendiment më të lartë për të gjithë pemën.
Kemi disa metoda të rrallimit të frutave.
1.Rrallimi me dorë. Metoda më e përhapur është rrallimi me dorë, edhe pse ndikon në koston e prodhimit pasi nevojitet më shumë fuqi punëtore. Mesatarisht nevojiten 100-200 orë/ha.
2.Rrallimi kimik. Rrallimi kimik është një metodë tjetër që përdoret dhe ka dhënë rezultate të mira. Kryesisht për këtë metodë në vendin tonë si shembull efektiv mund të marrim përdorimin e rregullatorëve të rritjes siç është BREVIS® (150 gr/kg m.a. metamitron). Aplikimi i kësaj metode bëhet në konsultim me specialistin/agronomin e zonës dhe gjithmonë duke marrë në konsideratë kultivarin dhe kushtet atmosferike.
3.Rrallimi i mekanizuar. Këtu përdoren pajisje mekanike të cilat bëjnë shkundjen e trungut të pemës. Rezultatet më të mira arrihen kur përdoret në alternim me metodën me dorë. Kjo metodë nuk ka ende përhapje të gjerë në vendin tonë.
Rrallimi i frutave është një proces kyç përmes të cilit synohet që fermerët të arrijnë qëllimet e veta për të pasur një rendiment të kënaqshëm, fruta me cilësi më të mirë dhe të ketë rritje të prodhimit për vitin e ardhshëm.
Pra, pse të kënaqeni me një rendiment mesatar e të pabarabartë, kur ju mund të keni një sezon me fruta superiore, kualitative dhe një të ardhme profitabile për pemishten tuaj?
Nga Ph.D. kandidate Etleva Haxhia, shkruar për AgroPortal