Zhvillimi i perimtarisë dhe sfidat e prodhuesve
Bujqësia është një nga sektorët kryesor të ekonomisë në vend. Sipas Bankës Botërore, bujqësia kontribon 7.38 përqind të BPV-së dhe përbën 25 përqind të punësimit në vend.
Sipas shoqatës së fermerëve PePeKo, kërkesa e tregut është aq e lartë, dhe për të përmbushur nevojat e tregut duhet të ketë rritje prej 300 përqind të prodhimit.
Një nga fermeret e suksesshme është Remzie Tac, 47 vjeçare nga komuna e Mamushës. Që nga viti 2019, ajo ka filluar të merret me procesim të prodhimeve bujqësore. Ajo shprehet e kënaqur me kushtet që ofron tregu i brendshëm për agro-biznes, por gjithashtu kërkesa e lartë për eksport ka mundësuar që biznesi i saj të zgjerohet dita ditës.
Me procesim të perimeve, prodhimi i saj tashmë ka arritur të depërtoj në tregun evropian duke përfshirë vendet si Gjermania, Zvicra, Suedia, Belgjika, Italia dhe Sllovenia, gjersa, në rajon, kanë arritur të shtrihen në tregun e Malit të Zi.
“Ne bashkëpunojmë me 100 fermerët të zonës dhe në pikën tonë grumbulluese në bazë vjetore mblidhen rreth 150 tonë tranguj, 30 tonë lakër, 70 tonë domate, si dhe 40 tonë speca-feferon. Të gjitha këto produkte procesohen dhe bëhen të gatshme për treg të shitjes,” thotë Remzie Tac.
Biznesi i saj kishte marr hov pas mbështetjes financiare që mori nga Ministria e Tregtisë, përmes grantit qeveritar në vlerë prej 130 mijë euro bashkë-investim. Ndërkohë, për ndërtim të fabrikës për përpunim të perimeve, ajo kishte marrë një kredi në vlerë 150 mijë euro nga bankat komerciale në vend.
Përkundër zhvillimit të hovshëm të agro-biznesit, sfidat nuk kanë munguar në proces të punës. Dy problemet kryesore dhe të vazhdueshme për biznesin e Remzie Tacit nga Mamusha e Prizrenit, janë sigurimi i fuqisë punësore si dhe sigurimi i prodhimit nga faktorët klimatik.
“Sfidat me të cilat përballemi ne janë mungesa e fuqisë punëtore, si dhe periudha e tejzgjatur e kontrollit fito-sanitar që e vonon procesin e eksportimit të prodhimit. Gjithashtu, kosto e prodhimit është e lartë, andaj planifikojmë të investojmë në panele solare për të ulur shpenzimet e energjisë elektrike si dhe do të investojmë në sigurinë ushqimore,” përfundon fermerja nga Mamusha.
Numri i fermëve të regjistruar në vend është rreth 30 mijë. Zinxhirët e vlerës më të zhvilluar në vend në sektorin e perimtarisë janë speci, trangulli, domatja, dhe karrota, ndërsa në ate të pemtarisë janë molla, hardhia e rrushit dhe mjedra.