Industria e boronicës në Kosovë ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit dhe inovacionit. Per te qene ne hap me zhvillimet me te fundit ne kete sektor, përfaqësuesit e shoqatës nacionale Mjedra e Kosoves, po marrin pjese në Shkollën e Boronicës e organizuar nga kompania më inovative e boronicave në botë Fall Creek nga SHBA-ja. Kjo ngjarje e mbajtur me 9 janar 2024 në Horst, Holandë mblodhi rreth 100 profesionistë të sektorit nga vende të ndryshme të botës, duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive dhe eksperiencave.
Me 130 hektarë të mbjellura në Kosovë, teknologjia e kultivimit te boronicës ka ngjashmëri me metodologjinë e pemishteve në Holandë dhe si rrjedhim, fermerët liderë të boronicës në Kosovë kanë shfaqur një përkushtim të vazhdueshëm për të ndjekur trendët e reja evropiane. Ky përkushtim ka çuar në një avancim të ndjeshëm të sektorit të boronicës në vend gjate dekadës së fundit, duke kombinuar mësimet e vazhdueshme, inovacionet dhe bashkëpunimet ndërkombëtare.
Programi i shkollës së boronicës ishte i pasur me përmbajtje dhe eksperienca praktike. Diskutimet që u zhvilluan në kuadër të një paneli të diskutimit, ndër tjera u fokusuan mbi zhvillimet e prodhimit të substratit, drejtuar nga ekspertë të industrisë si Eric Boot nga BVB, i cili prezantoi inovacionet e substratit (torfës) për industrinë e boronicës dhe propozoi alternativa lidhur me kultivimin e boronicës me teknologjitë më të fundit, të prodhimit të substratit.
Antonio Alamo, Menaxheri i operacioneve në Fall Creek, ndau perspektiva kyçe rreth praktikave të mira të prodhimit të materialit të shëndetshëm fidanor, teknikave të shumimit dhe ruajtjes së shëndetit të bimëve.
Andrea Pergher, Menaxher për Evropën Qendrore në Fall Creek, ofroi vështrime të rëndësishme mbi koston e krasitjes në krahasim me koston e vjeljes, duke theksuar praktikat më efikase të krasitjes. Prezantimi i Andreas ishte mjaft interesant duke pasqyruar aspekte praktike të krasitjes se boronicës. Duhet të theksohet se Andrea vitin e kaluar mori pjesë në Forumin e Parë Biznesor të Boronicës në Prishtinë.
Ngjarja përfshiu një ditë fushore praktike për krasitjen e boronicës, e udhëhequr nga stafi profesional i Fall Creek në fushën demonstruese të tyre. Pjesëmarrësit patën mundësinë të shihnin metodat më të fundit të krasitjes së boronicës, të ndërvepronin me ekspertët, të njihnin kultivarët e rinj të boronicës dhe të merrnin pjesë aktivisht në ditën fushore.
Ngjarja përfundoi me një seancë pyetjesh dhe diskutimesh të udhëhequr nga Marcin Wereszczuk, duke theksuar vlerësimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit në mes të komunitetit global të boronicës
Industria e boronicës në Kosovë vazhdon të ndjekë trendet globale, dhe së shpejti, Shoqata Nacionale ‘Mjedra e Kosovës’ do të organizojë një ditë fushore me ekspertë holandez për krasitjen e boronicës në Kosovë. Ky angazhim siguron që sektori i boronicës në Kosovë të mbetet në hapat e trendeve globale të kultivimit të boronicës.